Çmimet në qiell, fitimet në tokë: Fermerët e Divjakës përballen me treg të padrejtë, i cili shet shtrenjtë në Tiranë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 24.06.2025, 23:22

Fermerët shesin me çmime minimale, por qytetarët blejnë fruta e perime me çmime të dyfishuara në tregjet e Tiranës

Në Divjakë, fermerët vazhdojnë të prodhojnë dhe të ofrojnë fruta-perime të freskëta me çmime të ulëta, por ky realitet nuk përkthehet në përfitim për qytetarët në kryeqytet. Diferenca mes çmimeve të shumicës dhe atyre me pakicë mbetet alarmante, duke rritur frustrimin te prodhuesit dhe konsumatorët.

Në tregjet e Tiranës, çmimet për fruta-perimet janë rritur ndjeshëm. Shalqiri cilësor varion nga 30 deri në 45 lekë për kilogram, ndërsa pjepri arrin deri në 120 lekë. Edhe produktet bazë si qepa dhe patatja shiten për 80 lekë për kilogram. Për shumë qytetarë, këto çmime janë të papërballueshme.

“Janë të papërballueshme për ne të rinjtë dhe për pensionistët,” ankohet një qytetare në treg. Të tjerë ngrenë zërin për mungesën e një standardi jetese dhe moskoordinimin mes çmimeve të prodhimit dhe atyre të shitjes.

Ndërkohë, fermerët në Divjakë tregtojnë prodhimet e tyre me çmime tepër më të ulëta. Shalqiri në shumicë shitet për 20–22 lekë/kg, ndërsa pjepri për 50–60 lekë/kg. Qepa dhe patatja qëndrojnë në 50 lekë për kilogram. Pra, çmimet në tregun final janë thuajse të dyfishuara, pa asnjë reflektim real të kostos.

Kjo situatë ka krijuar një hendek të thellë ekonomik mes prodhuesve dhe konsumatorëve. Fermerët ndihen të mashtruar nga tregtarët që, sipas tyre, abuzojnë me çmimet dhe i detyrojnë të punojnë pa fitim. Ata thonë se nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet e prodhimit.

“Pjepri shitet me shumicë 50 lekë, shalqini 20 lekë. I blejnë nga Tirana e rrethet me maune dhe i shesin shumë më shtrenjtë. Ne nuk nxjerrim paratë e investimit,” shprehet një fermer, i cili i konsideron këto kushte të padrejta dhe të lëna në harresë nga shteti.

Në zonën e Divjakës dhe Lushnjës operojnë 27 pika grumbullimi që merren kryesisht me eksport. Megjithatë, produktet që mbeten në tregun vendas përballen me çmime të fryra dhe mungesë rregullimi të drejtë.

Përtej shalqirit dhe pjeprit, edhe perimet e tjera si domatja, speci, patëllxhani dhe trangulli mbeten pjesë e kësaj problematike. Ato blihen drejtpërdrejt nga tregtarët afër fushave, por çmimi që arrin te qytetari nuk ka asnjë lidhje me koston reale të prodhimit.

Çmimet e produktit në treg dhe me shumicë vazhdojnë të thellojnë mosbesimin dhe të nxjerrin në pah mungesën e një sistemi transparent. Qytetarët ndihen të grabitur, fermerët të tradhtuar.

Në një kohë kur temperaturat rriten dhe nevoja për produkte të freskëta është jetike, tregu duket i zhytur në një kaos abuzimi që dëmton të gjithë, përveç atyre që e ndërmjetësojnë.

Fermerët kërkojnë mbështetje, transparencë dhe ndërhyrje konkrete për të balancuar çmimet. Pa rregullim, i gjithë zinxhiri ushqimor kërcënohet nga kolapsi ekonomik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit