Policia merr makina me qira më shtrenjtë se blerja, 34 mijë euro copa për 4 vjet

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.06.2025, 21:10

Një tjetër skandal financiar është finalizuar në heshtje, këtë herë nën emrin e “modernizimit” të Policisë së Shtetit. Tenderi për marrjen me qira të 120 automjeteve (sedan dhe SUV) është mbyllur ditët e fundit, duke shpallur fitues firmat që ofruan më shtrenjtë se konkurrentët e tjerë, me çmime që arrijnë deri në 34 mijë euro për një makinë me qira për 4 vite, një vlerë që praktikisht është e barabartë me blerjen e makinës.

Sipas dokumenteve të publikuara nga JOQ Albania, në total janë përzgjedhur dy kompani: “EUROCAR RENTALS” për sedanët dhe “MEKTRIN” për SUV-të, me një vlerë që kap shifrën mbi 7.8 milionë euro në total. Fituesit nuk ishin ata që ofruan më pak, por ata që sipas praktikave të dyshimta të zakonshme plotësonin kushtet “formale”.

Për 60 makina tip sedan, Policia e Shtetit do të paguajë 33.120 euro për secilën për 4 vite përdorim. Po aq do të paguhet për secilën nga 60 SUV-të, 34.000 euro për makinë. Këto janë çmime të krahasueshme me blerjen e makinës në treg, ku modelet bazë sedan apo SUV mund të blihen me më pak ose aq sa qiraja për 4 vite.

Por skandali nuk ndalet këtu.

Kompania “ALBANIA MOTOR COMPANY”, që ofroi 171 milionë lekë për të dy lotet pra, ndjeshëm më pak, u skualifikua sepse “nuk kishte eksperiencë të ngjashme në 3 vitet e fundit”. Ndërkohë, firma “PORSCHE LEASING”, që ofroi më pak se fituesi për SUV-të, u skualifikua se “nuk kishte deklaruar emrat e ortakëve”.

Në të dy rastet, shteti zgjodhi ofertën më të shtrenjtë, duke justifikuar procedurat me detaje burokratike dhe duke injoruar faktin që qindra mijëra euro janë shpërdoruar.

Sipas kontratës, mjetet do të përdoren me një mesatare prej 32.500 km në vit dhe, pas 4 vitesh, do t’i rikthehen kompanisë. Pra, Policia nuk do të mbajë asnjë mjet në fund, por do të ketë paguar miliona euro për një përdorim të përkohshëm dhe të kufizuar.

Në vend që mjetet të bliheshin dhe të mbeteshin në pronësi të shtetit për përdorim afatgjatë, është zgjedhur modeli që i përçon qartë dyshimet për favorizime, shpërdorim fondesh dhe pazare të mbyllura.

Edhe një herë, Policia e Shtetit me mbështetjen e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara zhvat buxhetin e shtetit përmes një skeme që më shumë ngjan me leasing luksi për drejtuesit, sesa me përmirësim të kushteve të punës për efektivët në terren.

Në fund të ditës, qytetarët që paguajnë taksa do të shohin policët me makina të reja… që nuk janë të Policisë, por të firmave private. Dhe pas katër vitesh, do të paguajmë sërish, nga e para.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit