Të paktën 40 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza të martën, vetëm pak orë pasi u njoftua një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, ndërmjetësuar nga Donald Trump.
Shpresa për fundin e luftës 20-mujore në Gaza u ndez për pak çaste, por u shua shpejt pas sulmeve të reja izraelite. Mjekët në Gaza raportuan për viktima masive, përfshirë 19 të vdekur dhe 146 të plagosur në një qendër ndihmash ku qytetarët tentuan të merrnin ushqime. Spitali Al-Awda konfirmoi se shumica e viktimave ishin nga plumbat e ushtrisë izraelite.
Ndërkohë, dhjetë persona të tjerë humbën jetën nga një sulm ajror mbi një shtëpi në lagjen Sabra, dhe 11 të tjerë nga të shtënat në Khan Younis, duke e çuar numrin total të të vrarëve për 24 orët e fundit në të paktën 40.
Për më tepër, ushtria izraelite hodhi fletëpalosje në veri të Gazës duke paralajmëruar civilët që të largohen, çka u përjetua si paralajmërim për ofensiva të reja.
Shumë palestinezë janë të dëshpëruar që marrëveshja Izrael-Iran nuk përfshiu Gazën. "Mjaft më! Tërë bota na ka braktisur", tha Adel Farouk, 62 vjeç nga Gaza City. "Shpresojmë që radha të jetë e jona tani."
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar sistemin aktual të shpërndarjes së ndihmave që menaxhohet nga një fondacion i mbështetur nga SHBA dhe i kontrolluar nga Izraeli, duke e quajtur atë “kurth vdekjeje” dhe në shkelje të rregullave të paanshmërisë humanitare. Ndërsa Izraeli pretendon se ky sistem ndihmon në ndalimin e keqpërdorimit të ndihmave nga Hamasi, ky i fundit i mohon akuzat.
Ndërkohë, burime nga Hamasi pohojnë se janë të hapur për bisedime për një armëpushim që do të përfundonte luftën dhe do të çonte në tërheqjen e Izraelit nga Gaza, por kushtet e tyre janë refuzuar vazhdimisht nga pala izraelite.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë 1200 persona dhe rrëmbyer 251 të tjerë. Prej atëherë, më shumë se 56,000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 2 milionë banorë janë zhvendosur, ndërsa kriza e urisë është përhapur masivisht në të gjithë Gazën.