Braçe reagon ndaj vendimit të KAS-it: votat e mia të pastra po shpallen të pavlefshme

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 24.06.2025, 18:01

Deputeti Erion Braçe akuzon KAS-in për anulim të votave që sipas tij janë të rregullta dhe pasqyrojnë vullnetin e qartë të qytetarëve për PS dhe kandidaturën e tij

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka dalë me një reagim të fortë ndaj Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), të cilin e akuzon për shpalljen të pavlefshme të disa votave që, sipas tij, janë të qarta dhe të vlefshme. Në një postim në Facebook, Braçe publikoi imazhe të disa fletëve të votimit që janë konsideruar të pavlefshme gjatë procesit të rinumërimit në njësinë 5 në Tiranë.

Ai theksoi se bëhet fjalë për vota që janë dhënë për Partinë Socialiste dhe për të si kandidat. Sipas Braçes, këto vota janë vlerësuar si të rregullta nga Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), duke ndjekur manualin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili tani, sipas tij, nuk po merret më parasysh.

“Janë vota të pastra, të dhëna në mënyrë të ndershme. Nuk ia kam marrë askujt dhe nuk i kam vjedhur. Çdo votë tregon qartë për kë është hedhur,” shkruan ai. Më tej, Braçe nuk përjashtoi mundësinë që pas këtij veprimi të fshihet një skenar për t’i marrë mandatin dhe e quajti të gjithë procesin “turp”.

Në publikimin e tij, ai denoncoi edhe përdorimin e shënimit “votë më shumë”, që sipas tij nënkupton akuzë të padrejtë për manipulim. Ai tha se nuk ia detyrohet askujt një etiketim të tillë dhe nuk do ta pranojë në asnjë mënyrë.

Kujtojmë se Partia Socialiste kishte paraqitur një kërkesë zyrtare pranë KAS-it për të njohur si të vlefshme edhe ato vota kur shenja (‘x’ ose ‘+’) vendosej jashtë kutisë së kandidatit. Megjithatë, kërkesa u rrëzua nga KAS, duke shtuar tensionin në këtë fazë të ndjeshme paszgjedhore.

Kjo situatë pritet të thellojë më tej përplasjet institucionale, ndërsa vetë Braçe ka paralajmëruar se do të vijojë ta ndjekë këtë çështje deri në fund, për të mbrojtur atë që ai e cilëson si “vullnet i pastër dhe i pakontestueshëm i qytetarëve”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit