Chelsea ka informuar Armando Brojën dhe disa lojtarë të tjerë se nuk janë më pjesë e planeve të klubit për sezonin e ardhshëm
Klubi londinez Chelsea ka nisur një pastrim të thellë në skuadër, duke vënë në dispozicion të tregut shtatë lojtarë, përfshirë sulmuesin shqiptar Armando Broja. Lajmi vjen nga “The New York Times”, që bën të ditur se drejtuesit e klubit i kanë komunikuar lojtarëve vendimin për largim.
Përveç Brojës, në listën e futbollistëve që pritet të largohen bëjnë pjesë edhe emra si Raheem Sterling, Ben Chilwell, Axel Disasi dhe të tjerë. Chelsea kërkon të gjenerojë të ardhura dhe të krijojë hapësira të reja në formacionin e Enzo Marescas.
Këto ndryshime nuk janë vetëm çështje financiare. Drejtuesit e klubit synojnë të përmirësojnë strukturën e skuadrës dhe të eliminojnë konkurrencën e panevojshme, duke i dhënë përparësi lojtarëve që përputhen më shumë me filozofinë e trajnerit.
Pritshmëritë janë që gjatë verës, “Blutë” të jenë aktivë në merkato, si në shitje ashtu edhe në blerje. Broja, i cili nuk ka gjetur hapësirat e duhura në “Stamford Bridge”, ka tërhequr interes nga disa klube të Premier League dhe të huaja.
Largimi i Sterlingut dhe Chilwellit do të përbëjë gjithashtu një sinjal të fortë për rinovimin e skuadrës. Pavarësisht emrave të mëdhenj, Chelsea duket e vendosur të ndërtojë një skuadër më të re dhe më dinamike për të ardhmen.
Axel Disasi dhe Renato Veiga, që nuk kanë bindur me paraqitjet e tyre, janë gjithashtu në prag largimi. Po ashtu, Chukwuemeka nuk ka pasur vazhdimësi në performancë, çka ka ndikuar në përfshirjen e tij në listën e shitjeve.
E ardhmja e Brojës do të jetë në fokusin e merkatos së verës, teksa sulmuesi shqiptar kërkon një ambient ku mund të luajë rregullisht dhe të zhvillojë potencialin e tij në mënyrë të vazhdueshme.