Të akuzuarit për vrasjen e Martin Çeços do të rigjykohen! Kështu ka vendosur sot Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila ka prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës në datën 10 shkurt të këtij viti.
Gjykata e Korçës vendosi që të akuzuarit për vrasjen e Martin Çeços, Valter Mollaj, Edlir Mollaj, Bleti Angjo dhe Martina Pajollari, të dënohen me 83 vite burg në total. Tashmë çështja do të rigjykohet me një trupë të re gjykuese dhe pritet një dënim i ri.
Në vendimin e sotëm thuhet: “Prishjen e vendimit te gjykates se shkalles se pare te juridiksionit te pergjithshem Korçë dhe kthimin e akteve për gjykim të njëjtës gjykatë me tjetër trup gjykues. Kunder ketij vendimi lejohet rekurs, brenda 45 diteve nga e nesermja e komunikimit te vendimit te arsyetuar.”
Babai i të ndjerit, Nevzat Çeço raportohet se ka shprehur dakortësinë për një rigjykim të çështjes, me shpresën se do të gjejë drejtësi për djalin e tij që tashmë nuk është në jetë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 12 qershor të vitit 2022 në fshatin Kolanec të Maliqit. Trupi i tij u gjet pa shenja jete dy ditë më pas, i varur me litar dhe i hedhur në rezervuari e fshatit.