Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në raportin e saj vjetor, i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, nga 1.84 milionë depozita aktive në vend, rreth 93% i përkasin qytetarëve me kursime modeste, me një mesatare prej vetëm 312 mijë lekësh (rreth 3,100 euro).
Nga ana tjetër, vetëm 7% e depozitave ose rreth 126 mijë llogari mbajnë mesatarisht 5.9 milionë lekë secila, ose afro 59 mijë euro. Këto pak llogari përfaqësojnë gati 58% të të gjitha kursimeve të individëve në sistemin bankar, me një total prej 7.4 miliardë eurosh, zbardh BIRN. Ndërkohë, pjesa tjetër prej 93% e depozitave përmban vetëm 42% të totalit, që përkthehet në rreth 5.34 miliardë euro.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave, institucion publik që garanton kthimin e kursimeve në rast të falimentimit të ndonjë banke, mbledh çdo vit kontribute nga bankat për të mbështetur fondin e sigurimeve. Aktualisht, ajo mbulon 100% të depozitave deri në shumën 2.5 milionë lekë, ndërsa shumave mbi këtë prag u ofrohet një nivel më i ulët sigurimi.
Për qëllime teknike dhe raportimi, depozitat klasifikohen në dy kategori: ato nën dhe ato mbi 2.5 milionë lekë. Kjo ndarje, megjithëse nuk është një matës i saktë i pabarazisë, ofron një pasqyrë të qartë për ndarjen e kursimeve mes qytetarëve të zakonshëm dhe atyre më të pasur.
Në vitin 2024, totali i depozitave të individëve në Shqipëri arriti në rreth 127 miliardë lekë, që përkon me afërsisht 13 miliardë euro. Megjithatë, numri i llogarive bankare nuk përfaqëson domosdoshmërisht numrin e individëve, pasi shumë persona mund të zotërojnë më shumë se një llogari.