Zjarri në vendgrumbullimin e Myq-Mamëzit, ndërhyrje intensive pa sukses për shuarjen e flakëve

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 24.06.2025, 16:56

Flakët në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Kukës nuk janë vënë ende nën kontroll, ndërsa përpjekjet për shuarjen vazhdojnë prej më shumë se 24 orësh

Prej më shumë se një dite, një vatër zjarri mbetet aktive në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në zonën e Myç-Mamëzit, shumë pranë qytetit të Kukësit. Megjithëse përhapja e tymit në drejtim të zonave të banuara është reduktuar, flakët vazhdojnë të përhapen në brendësi të mbetjeve.

Në terren janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, si dhe një fadromë, një eskavator dhe katër kamionë të Drejtorisë së Shërbimeve të Bashkisë Kukës. Pavarësisht ndërhyrjeve intensive, puna vazhdon të hasë vështirësi për shkak të natyrës së materialeve të djegshme dhe relievit të thyer të zonës.

Autoritetet vendore nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar mbi shkakun e shpërthimit të zjarrit. Megjithatë, burime jozyrtare nga hetimet e para nuk përjashtojnë mundësinë e një veprimi të qëllimshëm, duke e bërë çështjen edhe më shqetësuese për komunitetin.

Bashkia Kukës dhe strukturat përkatëse u bëjnë thirrje qytetarëve të mos nxisin asnjëherë ndezjen e zjarreve, duke kujtuar se ky veprim përbën një vepër të dënueshme penalisht. Ndërkohë, nxisin denoncimin e çdo rasti të ngjashëm për të reaguar në kohë dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.

Për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe dëme të tjera, strukturat operacionale do të vijojnë me patrullime dhe kontrolle shtesë në të gjithë zonën. Po ashtu, kërkohet bashkëpunim i ngushtë me komunitetin për të garantuar sigurinë e ambientit.

Ndërhyrjet pritet të zgjasin edhe gjatë orëve të natës, me shpresën se do të arrihet neutralizimi i plotë i flakëve. Deri atëherë, situata mbetet e kontrolluar pjesërisht, ndërsa rreziku nga zjarri ende nuk është eliminuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit