Marash Kumbulla mbyll huazimin me Espanyolin dhe rikthehet në Romë, por verdhekuqtë pritet ta shesin për të mbuluar bilancin financiar.
Pas përfundimit të sezonit në La Liga, mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla do të rikthehet zyrtarisht në Romë më 30 qershor. Huazimi i tij te Espanyoli përfundon dhe fati i tij është në duart e drejtuesve të rinj të klubit verdhekuq, përfshirë trajnerin Ranieri dhe drejtorin sportiv Massara.
Kumbulla ishte titullar i padiskutueshëm në radhët e Espanyolit dhe la pas një sezon mjaft pozitiv në elitën e futbollit spanjoll. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të mira, Roma ka nevojë të domosdoshme për të krijuar të ardhura dhe për këtë arsye ka nisur të shqyrtojë shitjen e disa prej lojtarëve të saj.
Sipas “Corriere dello Sport”, Roma synon të sigurojë rreth 10 milionë euro për të qëndruar brenda limiteve të “fair play financiar”. Kumbulla është një nga emrat që përfshihen në listën e futbollistëve të vendosur në shitje nga klubi.
Megjithëse klubi nuk dëshiron të dalë humbës në këtë marrëveshje, pasi vetëm katër vite më parë investoi rreth 26.5 milionë euro për shërbimet e tij, kërkesa e lartë financiare përbën një pengesë në negociatat për një transferim të shpejtë.
Espanyoli mbetet ende një alternativë e mundshme për qendërmbrojtësin kuqezi. Skuadra spanjolle është e kënaqur me kontributin e lojtarit dhe do të donte ta mbante në radhët e saj, por nuk është e gatshme të bëjë një investim të menjëhershëm në formë page të plotë.
Në vend të kësaj, drejtuesit e klubit katalanas po shqyrtojnë mundësinë që ta mbajnë Kumbullën edhe për një tjetër sezon në formë huazimi, duke shmangur për momentin një blerje përfundimtare të kartonit të tij.