Ekonomia shqiptare është mbështetur në ndërtime pa kriter, duke lënë qytetarët me fuqi të dobët blerëse dhe me qytete gjithnjë e më të pabanueshme
Sektori i ndërtimit në Shqipëri vazhdon të dominojë ekonominë kombëtare në mënyrë alarmante. Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, në vitin 2024 ky sektor zuri 14.4% të vlerës së shtuar bruto – trefishi i mesatares së Bashkimit Europian, që është vetëm 5.6%. Krahasuar me një vit më parë, pjesa e ndërtimit në ekonomi është rritur me 0.6 pikë përqindje.
Shqipëria renditet e para në Europë për varësinë ndaj sektorit të ndërtimit, ndjekur nga Kosova me 9.8% dhe Sllovakia me 8.7%. Vendet e tjera të rajonit shfaqin përqindje dukshëm më të ulëta, ndërsa Greqia, me vetëm 2.2%, përbën skajin tjetër të spektrit. Kjo pabarazi ngre pyetje serioze mbi strategjinë ekonomike të vendit.
Në vend që të përpiqet të zhvillojë sektorë prodhues apo inovativë, Shqipëria po zhytet gjithnjë e më shumë në një model ekonomik të bazuar në beton. Nga Tirana deri në bregdet, lejet e ndërtimit shpërndahen me ritme të papara, pa u menduar për pasojat sociale dhe mjedisore. Kjo valë ndërtimesh nuk përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm, por në një formë të re kaosi urban dhe abuzimi me hapësirat publike.
Ndërtime të shumta shumëkatëshe po mbijnë mbi çdo copë toke të lirë në kryeqytet, shpesh në mënyrë të diskutueshme. Tregu është mbushur me projekte luksoze të cilat nuk i përballon më as shtresa e mesme. Çmimet e apartamenteve janë rritur me një ritëm që tejkalon çdo logjikë ekonomike: që nga viti 2014, ato janë rritur 10 herë më shumë se pagat.
Sot sipas burimeve nga kompanitë e Real Estate-it, çmimi minimal për një metër katror është nga 1500 deri në 2000 euro, ndërsa paga mesatare mujore sipas INSTAT-it qëndron rreth 770 euro. Kjo e bën pothuajse të pamundur blerjen e një apartamenti për qytetarët e zakonshëm, duke shtuar ndjeshëm numrin e të rinjve që zgjedhin emigrimin si rrugë shpëtimi.
Në sfondin e këtij boom-i ndërtimor, qëndron një ekonomi e dobët dhe e pastabilizuar. Pjesë të mëdha të sektorit financohen përmes burimeve joformale. Kjo shpjegon dhe zhvlerësimin e Euros me rreth 27% që nga viti 2016, pa ndonjë përmirësim të dukshëm në bilancin tregtar të vendit. Pra, ndryshe nga çfarë pritej, rritja e ndërtimit nuk reflekton një ekonomi të shëndetshme, por një deformim të saj.
Kjo varësi nga ndërtimi dhe mungesa e diversifikimit ekonomik rrit ndjeshmërinë e vendit ndaj krizave, qofshin ato gjeopolitike apo të natyrës financiare. Nëse sektori ngadalësohet, pasoja do të ndihen menjëherë në papunësi, në të ardhurat fiskale dhe në rritjen ekonomike.
Qytetet po e humbin identitetin urban dhe hapësirat publike po zëvendësohen me blloqe të betonizuara pa infrastrukturë mbështetëse. Abuzimi me lejet e ndërtimit, sidomos në Tiranë, po ndodh me bekimin e autoriteteve, që duken më të interesuara për përfitime afatshkurtra se për zhvillim të qëndrueshëm.
Në vend që të investohet në teknologji, arsim, prodhim dhe shërbime, Shqipëria po rrokulliset drejt një modeli ekonomik të rrënuar, ku betoni është mbret, por qytetari mbetet pa shpresë. Kjo nuk është më thjesht një çështje urbane, por një krizë kombëtare që kërkon ndërhyrje urgjente.
Në fund, është e qartë se sektori i ndërtimit nuk po i shërben më ekonomisë reale, por një elite të vogël që përfiton nga një sistem i çoroditur. Ndërtimi është kthyer në simbol të mungesës së vizionit ekonomik dhe të krizës së thellë sociale që po përjeton Shqipëria.