Banorët e fshatit Kurdari në njësinë administrative Suç, në bashkinë Klos kanë protestuar kundër ndërtimit të një HEC-i duke iu referuar projekteve energjetike “Lusa 1” dhe “Lusa 2” nga firma “Idrolusa Sh.p.k”, që sipas tyre do të lërë pa ujë gjashtë fshatra me mbi 4 mijë banorë. Ata e cilësojnë ujin si jetik për jetesën, bujqësinë dhe blegtorinë, ndërsa paralajmërojnë pasoja të rënda nëse projekti vijon.
Qytetarët denoncojnë se ndërtimi ka nisur pa miratimin e komunitetit, pa firmat e kryepleqve dhe pa dokumentacion të rregullt. Ata shprehen se kanë bërë disa herë thirrje ndaj institucioneve shtetërore për të ndërhyrë, por shqetësimet e tyre janë injoruar sistematikisht.
Banorët deklarojnë se ndonëse kanë njoftuar disa herë Policinë e Shteti, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për të ndaluar punimet. Qytetarët shprehen se ndaj tyre është ushtruar presion nga ana e policisë. Në këtë rast, IKMT, Ministria e Mjedisit duhet të ndërhyjnë dhe të kryejnë verifikimet e nevojshme për të parë nëse kompania është me dokumentacion të rregullt gjithashtu dhe avokati i popullit duhet të jetë në mbështetje të banorëve të zonës të cilët preken nga kjo masakër mjedisore që po i bëhet fshatit me ndërtimin e HEC-it.
“Prsh JOQ. Sot banoret e Njesise Administrative Suç, Fshati Kurdari ne Bashkine Klos kundra ndertimit te Hec-it qe do i nxjer ne te thate 6 fshatra ku jetojne mbi 4.000 banore! Uji eshte jetik per keto fshatra. Pavarsisht se ka pasur protesta te vazhdueshme dhe paralajmerime te njepasnjeshme per rrezikun dhe pasojat qe ka ndertimi hecit, cdo shqetesim ka rene ne vesh te shurdher. Eshte njoftuar disa here policia e shtetit pasi firma ndertuese nuk ka marre miratimin e banoreve te zones, Miratimin e Kryepleqve, dhe asnje dolumentacion se ka ne rregull. Eshte njoftuar policia e shtetit por nuk reagojne, perlundrazi Policia ju ben presion Banoreve. Ju dergova juve fotot nga vendi ku po hapet rruga e kanalit per te thare lumin. Ju lutem ta ndiqni sa me shume kete gje dhe te beheni zeri jone”, shkruan qytetari për JOQ Albania.