ZRRE thotë se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.06.2025, 13:26

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Ky reagim erdhi pas njoftimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila të hënën njoftoi se ka pezulluar ekzekutimin e një njoftimi të ZRRE-së, që ndalonte një kompani të caktuar të furnizohej përmes shërbimit universal.

“Në këtë rast, gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të njoftimit të ZRRE-së”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Komerciale.

ZRRE sqaroi se ky është një rast individual, që lidhet vetëm me një kompani të veçantë, dhe nuk ndikon në të gjitha bizneset.

Njoftimi për daljen në tregun e hapur u është dërguar të gjitha bizneseve që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Këto kompani, sipas vendimit të ZRRE-së, nga data 1 qershor janë të obliguara të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë elektrike në tregun e lirë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se pavarësisht se vendimi i gjykatës lidhet me një kompani, ai përbën precedent për të gjitha bizneset e mëdha, pasi kanë të njëjtën bazë ligjore.

“ZRRE duhet të reflektojë dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset – derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar”, tha Rafuna, duke shtuar se shumë biznese kanë dorëzuar ankesa kundër këtij vendimi, megjithëse nuk tregoi numrin e saktë.

Vendimin e gjykatës e ka mirëpritur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK).

“Sipas këtij vendimi, ZRRE ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, duke detyruar mbi 1300 kompani që të dalin në tregun e hapur pa analiza të mirëfillta dhe pa konsultim paraprak”, thuhet në komunikatën e DHTIK-së.

Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin për liberalizimin e tregut, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar. Ata kanë kërkuar që zbatimi i vendimit të shtyhet për së paku një vit.

Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 21 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa një tjetër është në proces të licencimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit