Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur Jonaid Myzyrin, kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP).
Myzyri, njëkohësisht vartës i ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, është thirrur ta hënën bashkë me avokatin, për t'u pyetur si i pandehur.
Ai akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim.
SPAK e dyshon Myzyrin si një funksionar që ka lejuar abuzime në procedurat tenderuese të zhvilluara nga Komisioni i Prokurimit Publik gjatë viteve 2020–2023. Dyshimet lidhen kryesisht me mungesën e garës së ndershme në shumë prej këtyre procedurave, ku në shumicën e rasteve ka marrë pjesë vetëm një kompani, ndërsa në të tjera janë konstatuar skualifikime të dyshimta të operatorëve konkurentë.
Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik i shkaktuar nga këto abuzime me tenderat përllogaritet të jetë mbi 2.5 miliardë euro.