Lëkundje tërmeti në mëngjesin e sotëm, tronditin qendrën dhe jugun e Shqipërisë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 24.06.2025, 11:11

Një tërmet me magnitudë 4.5 godet pranë Kamzës e Krujës në orët e para të mëngjesit, duke alarmuar qytetarët

Mëngjesi i 24 qershorit ka nisur me një sërë lëkundjesh sizmike që janë ndjerë në disa qytete të Shqipërisë, veçanërisht në zonat qendrore dhe jugore të vendit. Tërmeti më i fuqishëm është regjistruar në orën 05:04, me magnitudë 4.5 të shkallës Rihter.

Epiqendra e lëkundjes ka qenë në afërsi të Kamzës dhe Krujës, ndërsa të dhënat paraprake tregojnë se thellësia e saj ka qenë rreth 5 kilometra. Lëkundjet janë ndjerë mjaft qartë në Tiranë, Durrës dhe qytete përreth, duke shkaktuar shqetësim të menjëhershëm në radhët e banorëve.

Brenda një ore pas goditjes kryesore, janë shënuar edhe disa pasgoditje me magnituda më të ulëta që variojnë nga 2.2 deri në 3.5. Edhe pse më të lehta, këto lëkundje kanë shtuar ankthin tek qytetarët, veçanërisht tek ata që janë zgjuar nga gjumi prej tërmetit të parë.

Banorët kanë dalë në rrugë, duke kërkuar informacion dhe siguri. Disa prej tyre kanë qëndruar jashtë banesave për disa orë, në pritje të ndonjë njoftimi nga autoritetet për situatën.

Deri në këtë moment, nuk ka raportime për dëme materiale apo të lënduar. Institucionet përkatëse vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Shërbimet e emergjencës dhe ato sizmologjike janë në gadishmëri të plotë, ndërsa Instituti i Gjeoshkencave po vijojnë analizën e të dhënave për të përditësuar çdo zhvillim të mëtejshëm.

Autoritetet rikujtojnë qytetarët të kontrollojnë sigurinë e ambienteve të brendshme, si dhe të shmangin hyrjen në godina të dëmtuara apo me probleme strukturore të mundshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit