Një apel prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga familja e vogëlushes Ajla Shaqirllari, një engjëll i vogël që ka kaluar një rrugëtim tepër të dhimbshëm që në ditët e para të jetës së saj.
Ajla lindi me hernie diafragmale dhe iu nënshtrua menjëherë një operacioni të rëndësishëm. Më pas, pas një sërë kontrollesh, mjekët në Spitalin Pediatrik Meyer në Firence, Itali, zbuluan diagnozën e vërtetë: Spina Bifida dhe 7 rruaza të shtyllës kurrizore të palëvizshme. Edhe pse iu bë një tjetër operacion i madh, pas gjashtë muajsh u shfaq skolioza, e cila e detyroi Ajlën që në moshën 4-vjeçare të mbante për 5 vite një bust të fortë ortopedik.
Fatkeqësisht, gjendja nuk është përmirësuar. Mjekët kanë konfirmuar se vogëlushja 9-vjeçare ka nevojë urgjente për disa operacione të tjera të ndërlikuara, që janë jetike për të ndalur përparimin e sëmundjes dhe për të mundësuar një jetë më të mirë dhe pa dhimbje për të.
Familja e Ajlës ka bërë gjithçka që ka mundur deri më tani, por kostot janë të papërballueshme. Prandaj, ata i drejtohen me zemër çdo shqiptari për ndihmë.
Çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë një ndryshim të madh në jetën e kësaj vogëlusheje të guximshme.
KLIKO KËTU PËR TË NDIHMUAR AJLËN