Gjykata e Fierit dënon me 12 vite burg Florian Mukën për vrasjen e Grei Bihucit, ndërsa i mituri Klajdi Muka lirohet pas një viti arrest shtëpie për moskallëzim krimi
Gjykata e Fierit ka shpallur vendimin për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 mars 2023, ku 20-vjeçari Grei Bihuci humbi jetën pas një përplasjeje që nisi në rrjetet sociale dhe përfundoi tragjikisht në qendër të qytetit. Autori i vrasjes, Florian Muka, është dënuar me 12 vite burg, ndonëse prokuroria kërkoi 25. Vendimi u ndikua nga pranimi i krimit dhe kërkimi i faljes nga ana e të pandehurit.
Ndërkohë, kushëriri i tij, Klajdi Muka, i cili në atë kohë ishte i mitur dhe ndodhej në vendin e ngjarjes, u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi. Ai nuk kishte ndërhyrë dhe nuk kishte denoncuar ngjarjen. Pasi e kishte shlyer këtë dënim në formën e arrestit shtëpiak, Klajdi u la i lirë.
Seanca gjyqësore u zhvillua në kushte të rrepta sigurie. Trupi gjykues përbëhej nga kryesuesi Genci Busho dhe anëtarët Vladimir Cjapi e Elira Hroni. Të dy të pandehurit shfaqën pendesë të thellë gjatë procesit dhe kërkuan falje për ngjarjen që tronditi opinionin publik.
Prokurori i çështjes, Petrit Vukaj, kishte kërkuar një ndëshkim më të ashpër: 25 vite burg për Florian Mukën dhe 12 për të miturin Klajdi. Megjithatë, pretendimet e mbrojtjes dhe rrethanat lehtësuese ndikuan në vendimin përfundimtar.
Avokati i të akuzuarit kryesor, Ervis Goxhaj, argumentoi se klienti i tij e ka kryer vrasjen në kushte të vetëmbrojtjes. Ndërkohë, Klajdi Muka pranoi se kishte qenë prezent në momentin e përleshjes, por nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim aktiv.
Ngjarja ndodhi në zemër të Fierit, ku Floriani, në moshën 19-vjeçare, goditi me thikë Grein, i cili më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra. Sherri, që nisi në rrjetet sociale, degradoi në dhunë fizike. Gjatë përplasjes, edhe shoku i viktimës, Olti Serjanaj, 20 vjeç, mbeti i plagosur teksa përpiqej të ndërhynte.
Grei Bihuci ishte student në degën e teknologjisë së informacionit dhe punonte pasdite si kamerier pranë vendit ku ndodhi krimi. Vdekja e tij la pas një boshllëk të thellë për familjen dhe komunitetin lokal.