Tensionet mes Iranit dhe Izraelit kanë hyrë në një fazë të re dhe tejet të rrezikshme. Sipas mediave shtetërore iraniane, forcat e armatosura të Iranit kanë rrëzuar një aeroplan luftarak F-35 izraelit pranë qytetit Tabriz, në veriperëndim të vendit, duke kapur pilotin izraelit.
Ngjarja tronditëse ndodh në një moment kritik, kur rajoni i Azisë Perëndimore ndodhet në prag të një përshkallëzimi ushtarak. Irani pretendon se ky është avioni i katërt F-35 që rrëzohet nga mbrojtja e tij ajrore – një goditje e rëndë ndaj një prej mjeteve më të sofistikuara të aviacionit modern.
Pala izraelite nuk ka dhënë ende asnjë reagim zyrtar, duke lënë vend për spekulime mbi natyrën e misionit, rrugën e hyrjes dhe qëllimin e avionit të rrëzuar.
Bashkësia ndërkombëtare ka ngritur alarmin, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe evitim të një lufte të hapur në rajon. Ekspertët paralajmërojnë se çdo incident i mëtejshëm mund të shkaktojë shkëndijën e një konflikti rajonal me pasoja globale.