Sulmet e SHBA në Iran, paralajmërohet rritje e ndjeshme e çmimit të naftës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.06.2025, 20:54

Pas sulmeve ajrore të SHBA mbi tri objekte bërthamore iraniane, tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar dhe çmimet e naftës kanë nisur të rriten ndjeshëm.

Trump urdhëroi sulmin mbrëmjen e së shtunës (21 qershor), duke hedhur 14 bomba të fuqishme në zonat strategjike të Iranit, në kulmin e konfliktit me Izraelin. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa ndaj bazave amerikane në Katar dhe Irak, ndërsa paralajmëroi pasoja "të përjetshme".

Frika më e madhe tani lidhet me ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore ku kalon 20% e furnizimit global të naftës. Parlamenti iranian, sipas mediave shtetërore, ka dhënë mbështetje për mbylljen ose kufizimin e kësaj rruge strategjike. Por Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e quajti këtë veprim “vetëvrasje ekonomike” për Iranin, veçanërisht në raportet me Kinën, partneri më i madh tregtar i Teheranit.

Vetëm lajmet për këtë mundësi kanë shkaktuar rritje çmimesh në tregjet ndërkombëtare: çmimi i naftës u rrit me 4% që të dielën në mbrëmje, ndërsa bursat ranë ndjeshëm.

Andy Lipow, ekspert energjetik, tha se nëse bllokohet ngushtica, çmimi i naftës mund të shkojë në 100 dollarë për fuçi dhe çmimi i karburantit në SHBA të rritet me 75 cent për gallon.

Nga ana tjetër, analisti Patrick De Haan tha se për momentin nuk priten rritje drastike, por një shtesë prej 10 deri në 30 cent për gallon është e mundur në ditët në vijim.

Gjithçka varet nga hapi i radhës i Iranit. Por një bllokim i ngushticës, sipas analistëve, do të rrezikonte një përshkallëzim të madh ushtarak nga SHBA dhe aleatët e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit