Operacioni iranian “Besharat al-Fath” godet bazën amerikane Al Udeid në Katar, autoritetet ndërhyjnë me masa parandaluese për sigurinë kombëtare
Televizioni shtetëror iranian IRIB raportoi se Irani ka nisur zyrtarisht “Operacionin Besharat al-Fath” kundër bazës ushtarake amerikane Al Udeid, e vendosur në Katar. Ky zhvillim i beftë ka ngritur ndjeshëm tensionet në rajon dhe ka alarmuar autoritetet vendase.
Në një reagim të menjëhershëm, Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit njoftoi se është pezulluar përkohësisht qarkullimi ajror në hapësirën ajrore të vendit. Sipas deklaratës zyrtare, ky vendim është marrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, banorëve dhe vizitorëve në këtë moment delikat.
Zyrtarët katarezë konfirmojnë se masa vjen si pjesë e një pakete të gjerë veprimesh parandaluese, të ndërmarra pas zhvillimeve të fundit në rajon. “Po ndjekim situatën me vëmendje dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë rajonalë dhe ndërkombëtarë,” thuhet në deklaratë.
Ministria theksoi se autoritetet e vendit janë në gatishmëri të plotë dhe nuk do të hezitojnë të ndërmarrin çdo masë të domosdoshme për të mbrojtur qytetarët dhe territorin e Katarit nga çdo kërcënim i mundshëm.
Video: Doha, Katar
Pezullimi i fluturimeve dhe paralajmërimet për masa shtesë kanë krijuar një gjendje pasigurie për qytetarët, ndërsa pritet që situata të evoluojë në orët apo ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve në terren.
Operacioni iranian sinjalizon një përshkallëzim të mundshëm në raportet midis Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa baza Al Udeid përbën një nyje strategjike të forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Të gjitha zhvillimet po monitorohen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, teksa shtetet e rajonit përgatiten për çdo skenar të mundshëm që mund të vijë pas këtij sulmi.