Kur temperaturat rriten, fluturat Bogong nisin një udhëtim të gjatë prej rreth 1,000 kilometrash për të gjetur freski në shpella të fshehura në Alpet Australiane. Pas pushimit, ato rikthehen në vendlindje për t’u shumuar. Ndryshe nga shumë kafshë të tjera që përdorin fushën magnetike apo pika referimi në terren, këto flutura janë jovertebroret e para të njohura që orientojnë udhëtimin e tyre të gjatë duke ndjekur yjet.
Shkencëtarët prej kohësh janë përpjekur të kuptojnë si arrijnë fluturat të gjejnë rrugën drejt destinacioneve që nuk i kanë vizituar më parë. Një studim i mëparshëm sugjeronte se fusha magnetike e Tokës dhe elementë vizualë ishin faktorë ndihmës, por eksperimente të fundit kanë treguar një rol vendimtar të qiellit të natës në orientimin e tyre.
Në një eksperiment të posaçëm, fluturat u vendosën në një simulator që imitonte natën me yje, ndërkohë që fusha magnetike e Tokës u bllokua. Kur yjet ishin të rreshtuar natyrshëm, fluturat udhëtonin në drejtimin e saktë. Por në rastin kur formacionet qiellore ishin përzier, ato humbnin rrugën. Madje, reagimet në qelizat e trurit të tyre konfirmuan ndjeshmërinë ndaj pozicioneve të caktuara të yjeve.
Hulumtuesit ende nuk e dinë saktësisht se cilat pjesë të qiellit i ndihmojnë më shumë fluturat mund të jetë Rruga e Qumështit apo ndonjë objekt tjetër i ndritshëm në qiellin e natës. Megjithatë, kjo sjellje i bashkon me zogjtë dhe insekte të tjera si brumbujt e plehut, që gjithashtu përdorin yjet për orientim. Ajo që i mahnit studiuesit është fakti që një krijesë me tru aq të vogël sa një kokërr orizi arrin të udhëtojë me kaq saktësi nëpërmjet udhëzimit nga yjet.
“Është një arritje e jashtëzakonshme që fluturat Bogong, me trurin më të vogël se një kokërr orizi, mbështeten te qielli i natës për udhëtimin e tyre,” tha David Dreyer, autor i studimit nga Universiteti i Lundit në Suedi.