Një e re ka denoncuar në redaksinë e JOQ një ngjarje të pazakontë që i ka ndodhur në zonën e Astirit, vetëm pak orë pasi kishte marrë me qira një banesë. Sipas saj, pronari i shtëpisë është paraqitur në orën 2 të natës duke bërtitur me arsyetimin se ajo mbante ndezur kondicionerin.
“Jam futur në shtëpi me pagesë dhe me të gjitha. Në mes të natës më kërkoi të largohem nga banesa. A ju duket normale kjo gjë?”, shkruan ajo.
E revoltuar, denoncon mënyrën se si shumë pronarë dhe agjenci abuzojnë me qiramarrësit: “Këta palo pronarë shtëpish po na marrin shpirtin. Po humbasim punën prej këtyre, vetëm se kanë teka. Në shtëpinë që paguaj nuk më lejojnë të marr as vëllain, as nënën. Çfarë është kjo, në kohën e mesjetës?!”
Qytetarja shton se bashkëjeton me partnerin dhe nuk pranon të trajtohet në këtë mënyrë në një shtëpi për të cilën paguan rregullisht qiranë. Ajo pretendon se ka edhe video ku pronari i ka kërkuar të dalë jashtë në mes të natës.
Denoncime të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa mungesa e kontratave të qarta dhe abuzimi i paligjshëm nga ana e disa pronarëve vijon të rëndojë mbi qiramarrësit, duke u kthyer në një problem serioz social.