Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në Elbasan, ku një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë zonës së Katundit të Ri.
Trupi është zbuluar rastësisht nga një peshkatar lokal, i cili ka njoftuar fillimisht banorët përreth dhe më pas autoritetet. Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma është gjetur në një zonë me akses të vështirë, pranë ish-Metalurgjikut, çka ka vështirësuar ndërhyrjen.
Menjëherë pas sinjalizimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar zonën për të garantuar sigurinë dhe ruajtur provat. Për nxjerrjen e trupit është kërkuar ndihma e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë aktualisht në veprim për të bërë të mundur tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.
Deri në përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore, ende nuk ka informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Gjithashtu, nuk është përcaktuar nëse bëhet fjalë për një mbytje aksidentale apo një ngjarje me motive kriminale.
Policia ka nisur hetimet dhe u bën thirrje qytetarëve që kanë dijeni për ndonjë person të zhdukur të kontaktojnë menjëherë autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.