Trump: Nëse S‘mund ta bëjnë Iranin të madh sërish, pse të mos ketë ndryshim regjimi?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.06.2025, 00:11

Teksa situata në Lindjen e Mesme po tensionohet gjithnjë e më shumë, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të fortë dhe provokuese, duke sugjeruar një ndryshim regjimi në Iran, pas sulmeve ajrore të fundjavës që goditën objektiva ushtarake dhe bërthamore iraniane.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkrojti:

“Nuk është politikisht korrekte të përdorësh termin ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi aktual në Iran nuk është në gjendje të BËJË IRANIN TË MADH SËRISH, pse të mos ketë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!” (Make Iran Great Again).

Trump theksoi gjithashtu se dëmet e shkaktuara në objektet bërthamore të Iranit ishin “monumentale”, duke përshkruar goditjet si “të forta dhe të sakta”. Ai falënderoi ushtrinë amerikane për “aftësinë e jashtëzakonshme”, ndërsa bëri me dije se pilotët e avionëve bombardues B-2 që kryen sulmet kishin zbarkuar të sigurt në Missouri.

Deklarata e Trump vjen në një moment shumë të ndjeshëm, kur presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka paralajmëruar hakmarrje dhe mijëra qytetarë në Teheran brohorasin “Hakmarrje, hakmarrje!” në protesta kundër SHBA-së.

Kjo deklaratë pritet të ndezë më tej debatin ndërkombëtar dhe të rrisë tensionet në rajon, ku rreziku i një përshkallëzimi ushtarak po bëhet gjithnjë e më i madh.

Sulmet e SHBA-së synuan objektet bërthamore në Fordow, Isfahan dhe Natanz, tre qendra strategjike të programit bërthamor iranian. Në përgjigje, regjimi iranian ka deklaruar se bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme janë “objektiva legjitime”.

Ndërkohë, qeveria iraniane po shqyrton mundësinë e mbylljes së ngushticës së Hormuzit, një arterie thelbësore për tregtinë globale të naftës. Një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për ekonominë botërore, përfshirë edhe aleatët e Iranit, si Kina.

Ndërsa në Teheran zhvilloheshin protesta kundër SHBA-së, në Izrael jeta vijonte normalisht, me qytetarët që shijonin ditën në plazh, vetëm disa orë pasi kishin zbritur në strehimore për shkak të alarmit për raketa. Kontrasti i këtyre pamjeve ka nxitur reagime në rrjetet sociale.

Situata mbetet e paqëndrueshme dhe shumë analistë paralajmërojnë për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në rajon, që mund të përfshijë aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit