Çdo natë, fiks në orën 22:00, dritaret e apartamenteve në një lagje të qetë në Suedi hapen njëra pas tjetrës. Brenda pak sekondash, qetësia nordike thyhet nga një shpërthim britmash që përfshin gjithë lagjen. Nuk bëhet fjalë për ndonjë protestë, panik apo alarm, është thjesht një ritual i përditshëm, i nisur rastësisht dhe që tashmë është kthyer në zakon të çuditshëm dhe njëkohësisht çlirimtar.
Fenomeni thuhet se ka nisur gjatë pandemisë, si një formë kolektive për të përballuar izolimin dhe stresin. Një banor kishte bërtitur nga dritarja për të shfryrë frustrimin, dhe të nesërmen një tjetër iu bashkua. Brenda pak ditësh, një lagje e tërë nisi të bërtasë së bashku, një moment 15-sekondësh lirie, solidariteti dhe, në njëfarë mënyre, humori. Nuk ka rregulla për çfarë të bërtasësh, disa nxjerrin një ulërimë, disa bërtasin fjalë pa kuptim, e të tjerë thjesht qeshin.
Ndonëse duket si sjellje e çuditshme për syrin e huaj, për komunitetin lokal është kthyer në simbol bashkimi. Fëmijët presin me padurim orën e britmës, ndërsa të moshuarit thonë se e ndjejnë veten më të gjallë. Ky ritual është shndërruar në një formë të re komunikimi mes fqinjëve një përshëndetje kolektive përmes zërit, që tejkalon fjalët dhe thyen distancën emocionale në një shoqëri që shpesh perceptohet si e ftohtë.