Në plazhin e Velipojës po përsëritet një situatë e rrezikshme për jetën e pushuesve, sidomos të fëmijëve. Lundrimi me motor, si motoskafët që lundrojnë shumë pranë bregut janë kthyer në një problem serioz dhe rrezik për pushuesit. Pavarësisht rregullave të qarta që ndalojnë afrimin e këtyre mjeteve në zonat pranë bregut, disa individë vijojnë të shkelin çdo normë sigurie, madje dhe në sy të policisë.
Kjo sjellje tashmë e bërë zakon në plazhet e Shqipërisë vë në rrezik jetën e qytetarëve të cilët zgjedhin të pushojnë në bregdet, në rastin konkret në plazhin e Velipojës. Askush nuk duhet të lundrojë pranë vijës bregdetare ku lahen fëmijë e familje të tëra, por mungesa e kontrollit dhe ndërhyrjes së policisë po e kthen këtë në një rrezik të përditshëm. Policia Kufitare, rojet bregdetare dhe bashkia Shkodër duhet të veprojnë.
"Nuk e marr vesh pse disa njerez vazhdojne te mos kuptojne lundrimi me motoskaf ku lahen njerezit/femije eshte vdekjeprurese. As vend per hyrje mjetesh lundruese dhe as respektim i buijve. Ne velipoje", shkruan një pushues.
Sezoni i verës është për të shijuar disa ditë pushimi dhe për t’u relaksuar, jo për të regjistruar tragjedi nga motoskafët që lundrojnë duke shkelur rregullat e zonave bregdetare.