Një punonjës civil i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania ku ngre shqetësimin për mungesën e pagesës së orëve shtesë gjatë zgjedhjeve të 11 Majit, duke theksuar se strukturat civile kanë punuar në kushte të njëjta me punonjësit me gradë, por janë përjashtuar nga çdo trajtim financiar shtesë.
Punonjësi shkruan se kanë qenë të angazhuar me turne 12 orëshe gjatë gjithë periudhës së zgjedhjeve, nga data 10 deri më 19 maj, duke qëndruar ditë e natë në ambientet e komisariateve dhe drejtorive vendore për të ndjekur dhe raportuar procesin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare.
Denoncuesi shkruan se pavarësisht urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që garantonte pagesën e orëve shtesë për strukturat civile, deri tani kjo nuk është reflektuar në llogaritë bankare, në pagat mujore të punonjësve të strukturave civile.
Mosshpërblimi i 8 ditëve punë e gatishmëri me orë të zgjatura është jo vetëm shkelje e të drejtave të punonjësve të strukturave civile, por dhe nënvlerësim institucional të rolit që luajnë këta punonjës në procese të rëndësishme siç ishte procesi zgjedhor i 11 Majit.
Ndonëse punonjësve u kërkohet llogari, kur ata kërkojnë t'u dëgjohet zëri për të drejtën themelore siç është paga, eprorët heshtin dhe nuk e vënë ujin në zjarr për t'i mbështetur apo për t'i motivuar me paga siç ata e meritojnë në bazë të punës që bëjnë.
“Përshëndetje JOQ! Nisur nga ky postim i disa ditëve më parë dua të ngre shqetësimin edhe unë në lidhje me pagesën e orëve shtesë për zgjedhjet e 11 Majit për strukturat civile, që jo më pak se strukturat me gradë policore kanë bërë punë e tyre me turne 12 orarëshe dhe nuk janë paguar për këtë. Të gjitha strukturat civile kanë qëndruar në zyrat e Komisariateve dhe Drejtorive Vendore të Policisë, ku kanë bërë monitorimin dhe rekordimin e procesit të votimit nga dita e shtunë datë 10 Maj e e deri në datën 13 Maj kanë qëndruar ditë-natë, për të mos përmendur këtu faktin që kërkohej edhe raportimi i procesit të numërimit që zgjati deri në datën 19 Maj. Praktikisht i bie 8 ditë në gatishmëri në çdo moment dhe kjo punë nuk paguhet dhe jo vetëm kaq por thyhet edhe urdhëri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku qartazi shkruhet e bardha mbi të zezë që strukturave civile do ju paguhen orët shtesë të punës. Kur vjen puna për tek paga trajtohemi me pagë minimale 400.000 lekë...Ama llogaria na kërkohet dhëmbë për dhëmbë si punonjësit me gradë dhe jemi të përjashtuar nga çdo pagesë ekstra. Na u premtua rritje page dhe rritja u bë me 1200 lekë. Është e turpshme që akoma të punojmë me rroga kaq skandaloze. Uroj që të dëgjohet zëri ynë nëpërmjet jush, se të tjerët "nuk dëgjojnë nga ai vesh"! Anonim se na heqin nga puna" shkruan qytetari për JOQ Albania.