Varfëria i ka gjunjëzuar, të ndihmojmë familjen Karabrahimi në fshatin e harruar të Bulqizës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.06.2025, 16:13

Në një fshat të thellë të Bulqizës, të harruar nga instancat vendore, konkretisht në Ostren të Vogël, banon një familje e cila jeton në kushte të tmerrshme që vështirë të përshkruhen me fjalë. Historia prekëse e kësaj familje në Ostren vjen në redaksi nga një vajzë e cila merret me organizim surprizash në Bulqizë. Ajo thotë se ishte dëshirë e një prej vajzave të familjes në nevojë që t'i bënim surprizë në emër të saj e cila jeton në Greqi dhe kur kanë parë realitetin e kushteve në të cilën jetonte familja, vendosën ta ndajnë publikisht në mënyrë që kushdo ka mundësi të vërë dorën në zemër dhe të ndihmojë familjen në nevojë.

Siç duket nga pamjet e mbërritura në redaksi, shtëpia është në kushte të mjerueshme. I zoti i shtëpisë, Fluturim Karabrahimi, një burrë fisnik që jeta e ka përplasur të jetojë në këto kushte të vështira, ka dhe probleme me shëndetin. Zonja e shtëpisë, e lodhur nga varfëria, vuan dhe nga epilepsia dhe sëmundje të tjera shoqëruese. Familja ka 3 vajza njëra e martuar në Greqi, një në klasën e 9-të dhe një 21 vjeçare e cila nuk është e aftë të flasë, lëvizë, apo shprehet dot. Siç dëgjohet nga i zoti i shtëpisë, dëshira e vetme e kësaj familje është një shtëpi dhe kushte më të mira për të jetuar që të mos mbeten pa strehë. Familja nuk ka një numër kontakti, por kushdo dëshiron të ndihmojë, t'i bëjë një vizitë nga afër në fshatin Ostren i Vogël.

Nga zonja e shtëpisë dëgjohet që banesa është e pabanueshme kjo e thënë dhe nga inxhinieri pas verifikimeve të kryera pas tërmetit të regjistruar në 2021. Banorja dëgjohet të thotë se i është premtuar dëmshpërblim por deri tani nuk ka parë asgjë me sy.

Në shtëpi nuk ka asnjë kusht minimal, as ujë, as ushqime dhe as ilaçe për pjesëtarët e familjes që vuajnë nga sëmundjet. Ostren i Vogël i njësisë administrative Ostren është një fshat i harruar nga bashkia Bulqizë. Do të ishte mirë që kushdo ka mundësi, të ofrojë një ndihmë sado e vogël të jetë për të sjellë pak lumturi në zemrat e familjes. Bulqizakët, dibranët, por jo vetëm të vënë dorën në zemër dhe të bëjnë një të mirë për të mundësuar që kjo familje të jetojë në kushte minimale, në një banesë modeste mu kushtet bazë.

Një thirrje i shkon dhe kryebashkiakes së Bulqizës Festime Mjeshtri, si gocë e lindur në Tërbaç të komunës Ostren të bëjë diçka për t'i ofruar familjes një banesë sociale në Bulqizë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit