Në ditën e katërt të rinumërimit të kutive të votimit numërohen qindra vota të pavlefshme si në votimin e partisë ashtu dhe në votën e hedhur për kandidatin preferencial. Në mesin e 392 kutive të hapura, ka patur jo votë por shprehje të dashurisë apo rebelim.
Në mesin e fletëve të votimit ka nga ata votues të cilët kanë treguar realitetin frymëzuar nga zhgënjimi. Një rast i tillë është fleta më poshtë ku një qytetar ka shprehur mendimin e tij pa filtra duke shënuar në fletë votimi mendimin e tij për partitë dhe kandidatët. “Një m*t jeni", shihet që ka shënuar një votues.

Në mesin e fletëve të votimit gjatë këtij procesi të rinumërimit të kutive janë konstatuar fletë votimi me zemra. Një votues ka shprehur dashurinë për PS dhe kandidatin Ervin Hoxha duke i votuar përmes vizatimit të zemrave.
Shumë prej votuesve si duket iu është bërë monotoni 'X' apo "+" gjatë procesit zgjedhor dhe kanë nisur ta zëvendësojnë me zemra. Një tregues i dashurisë, por që Hoxhës i ka humbur një votë, teksa shënon një fenomen të shpalljes së pavlefshme të qindra votave që ishin llogaritur si të rregullta nga numërimi i parë i bërë nga komisionerët politikë.

Në një kohë kur zgjedhjet mbaruan, rinumërimi i kutive të votimit po nxjerr sheshit dashurinë dhe zemërimin e votuesve për politikën aktuale në vend. Këto janë disa vota të çuditshme, që janë bërë të pavlefshme nga votuesit disa nga mungesa e informacionit mbi mënyrën si votohet e disa në shenjë proteste të mungesës së një alternative përfaqësuese për ta.