Sportistët e klubit Teuta në Durrës, veçanërisht volejbollistët, kanë 3 muaj që nuk kanë marrë pagesat. Një prej sportistëve, në emër të kolegëve të tij që kanë të njëjtin problem, shkruan për JOQ Albania se pavarësisht përkushtimit në stërvitje dhe angazhimit maksimal për të përfaqësuar denjësisht qytetin në garat kombëtare, bashkia Durrës ende nuk ka paguar sportistët e këtij klubi. Mungesa e pagesave po ndikon negativisht në jetën e tyre duke e bërë të vështirë përballimin e nevojave bazë. Mosdhënia e pagës është mungesë respekti ndaj punës së sportistëve dhe sakrificave të tyre në performancat që ata japin. Ky klub sportiv, sipas sportistëve, është lënë pas dore nga institucionet përgjegjëse.
“Përshëndetje! Po ju shkruaj lidhur me një problematikë që kemi si sportistë të klubit Teuta Sportistët e Teutës, volejbollistët veçanërisht janë pa rroga prej 3 muajsh! Ne, sportistët e klubit Teuta, prej tre muajsh jemi pa pagesë. Pavarësisht përkushtimit, stërvitjeve të përditshme dhe përfaqësimit me dinjitet të qytetit në garat kombëtare, Bashkia Durrës ende nuk ka dhënë pagat tona. Kjo është një mungesë respekti ndaj punës dhe sakrificave tona. Nuk mund të kërkohen rezultate kur mungon mbështetja minimale financiare. Ne nuk jemi vetëm sportistë – jemi njerëz që jetojmë nga kjo punë, dhe kjo heshtje e vazhdueshme është e papranueshme. Kërkojmë menjëherë zgjidhje! Dinjiteti ynë nuk është për t’u neglizhuar”, shkruan qytetari.
Në këto raste kërkohet një zgjidhje e menjëhershme. Sportistët e klubit Teuta nuk janë vetëm përfaqësues të klubit apo Durrësit, janë qytetarë që jetojnë përmes kësaj pune, ndaj kërkojnë pagat e tyre sepse është mundi që u takon në bazë të punës si sportistë. Drejtori i klubit Teuta, Kreshnik Leka, kryetaren e bashkisë Emiriana Sako dhe drejtorin e sportit në bashki Ardian Gurra nuk duhet të cënojnë dinjitetin e sportistëve të klubit Teuta, por t’u japë të drejtën që u takon, pagat e 3 muajve!