Prej të paktën dy vitesh, minimarketet dhe supermarketet në vend po përballen me mungesë të theksuar të monedhave për të kthyer kusurin. Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe bankat nuk u ofrojnë më monedha bizneseve të vogla, një praktikë që dikur funksiononte pa pengesa. Këtë e bën të ditur një qytetare e cila thekson se sot, kthimi i kusurit është kthyer në një stres. Shitëset detyrohen të kërkojnë monedha te bizneset pranë për të përballuar fluksin e blerjeve, por kjo nuk është zgjidhje për një sezon të tërë.
“Përshëndetje! Mund të ngrini një shqetësim që kemi që vitin e kaluar që po kalojnë bizneset e vogla, marketet, supermarketet për mungesën e monedhave? Bankat nuk të japin. Ngelëm duke lypur monedha por nuk mbahet një sezon i tërë duke lypur monedha ku të gjesh. Është vërtetë një problem që e kemi të përditshëm. Dhe vitin e kaluar sezoni kjo punë ka qenë. Më para bankat të jepnin. Tani ka dy vjet s'të japin më monedha. Jo zyrtare më kanë thënë që nuk japin sepse duan të bëhen pagesat me bank jo cash. Mini market. Por është e njëjta gjë në çdo dyqan që shkoj marrë furnizime, të gjithë vuajnë për monedha për të kthyer kusurin”, shkruan qytetarja.
Denoncuesja shkruan se në rrugë jozyrtare ka mësuar prej punonjësve të bankave se kjo ndodh sepse po promovohet pagesa elektronike dhe po kufizohet qarkullimi i parasë fizike. Në këtë situatë kërkohet një zgjidhje nga Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë.