Rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm në fshatin Halilaj, përgjatë rrugës Krujë–Fushë Krujë janë regjistruar të shtëna me armë zjarri.
Disa persona kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali, duke shkaktuar dëme materiale në ambientet e jashtme të tij.
Mondi Voga, ish-shoferi i deputetit të zgjedhur Arjan Ndoja, ka bërë denoncimin në polici ku ka deklaruar se është qëlluar me armë në drejtim të lokalit të tij në fshatin Krastë.
Gjatë marrjes në pyetje, pronari i lokalit ka qenë i rezervuar pa dhënë detaje apo dyshime mbi autorët e mundshëm.
Deri tani bëhet me dije se hetimet janë shtrirë në disa pista, për shkak të konflikteve të shumta që pronari ka pasur në të shkuarën.
Pista kryesore që po hetohet lidhet me një konflikt për çështje pronësie, megjithatë nuk jepen ende detaje të plota.
Sa i përket autorëve, ata dyshohet se kanë dalë nga zona e pyllëzuar dhe kanë qëlluar në drejtim të lokalit, ndërsa mbanin kapuça në kokë për të fshehur identitetin.
Autorët bëhet e ditur se janë larguar në këmbë në drejtim të pyllit, por nuk përjashtohet mundësia që më pas të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar me automjet.
Për zbardhjen e ngjarjes, hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, me qëllim identifikimin e autorëve.