Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ka vendosur të nisë ditën me një “mirëmëngjes” që u kthye në tallje publike. Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka publikuar një foto ajrore të plazhit të Durrësit, duke shkruar me krenari:
“Mirëmëngjes! Me këto pamje të plazheve të Durrësit, ku çdo ditë punohet për t'i mbajtur pastër e të sigurt për të gjithë pushuesit, ju uroj një ditë të mbarë.”
Por realiteti në foto flet ndryshe. Uji i detit duket skandalozisht i ndotur, me njolla të mëdha ngjyrë kafe dhe të zezë që ngjasojnë më shumë me mbetje urbane ose fekale se me ujë deti. Në vend që të transmetojë pastërti dhe siguri, imazhi jep ndjesinë e një llumi në të cilin vetëm guximtarët do të futeshin për të notuar.
Ndonëse plazhi është një nga burimet kryesore të turizmit dhe ekonomisë së qytetit, kjo foto shfaq një realitet shqetësues për gjendjen e mjedisit dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale. Ironikisht, kryebashkiakja kërkon të mburret me "punën e përditshme", ndërkohë që deti duket si kazan uji i përzier me naftë dhe baltë.
Nëse kjo është fushata për të promovuar Durrësin si destinacion turistik, Sako ndoshta duhet të investojë më shumë në pastrim sesa në propagandë. Pushuesit kërkojnë ujë të pastër, jo postime të zbukuruara që nuk ia dalin të fshehin realitetin.