Kuvendi i Shqipërisë ka finalizuar një tender me fond limit rreth 750 mijë euro për të zbardhur automatikisht me Inteligjencë Artificiale fjalimet e deputetëve në seanca plenare dhe mbledhje komisionesh.
Tashmë nuk do të ketë më debate nëse u ndryshua apo jo një fjali në procesverbal, pasi gjithçka do të transkriptohet nga inteligjenca artificiale, përfshirë këtu edhe perlat retorike të emrave të rinj si Sara Mile, Zegjine Caushi, Arkend Balla e të tjerë që kanë hyrë për herë të parë në Parlament. Me këtë sistem të ri, edhe debatet epike të Zegjinesë me Gaz Bardhin do të ruhen me saktësi kirurgjikale.
Tenderi kishte dështuar disa herë më parë, por është mbyllur menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit. Fituese është shpallur kompania “Dega Semos AL”, në bashkëpunim me “PC Store” dhe “BitGenius”, për furnizimin dhe mirëmbajtjen 4-vjeçare të një sistemi të avancuar transkriptimi bazuar në inteligjencë artificiale.
Sipas dokumenteve zyrtare, Kuvendi justifikon këtë shpenzim duke theksuar vështirësitë e mëdha të stafit për të përballuar manualisht volumin e lartë të fjalimeve. Procesi i zbardhjes “me kufje” kërkon kohë, është i lodhshëm dhe shpesh i papërballueshëm. Teknologjia e re do të lejojë përpunimin e fjalimeve në kohë reale, klasifikimin e tyre sipas tematikave dhe publikimin automatik në kanalet zyrtare.
Përmes këtij sistemi, Kuvendi synon të rrisë transparencën, të promovojë demokracinë dhe ndoshta edhe të përmirësojë nivelin e debatit politik. Sidoqoftë edhe në këtë rast nuk mungojnë dyshimet për fitues të paracaktuar. Jo vetëm se i njëjti emër, Vangjush Tasellari figuron në dy nga tre firmat fituese, por edhe se nga katër firma pjesëmarrëse në tender, 2 nuk kanë ofruar asnjë ofertë çmimi.