Ledian Goga, që u hodh në lumin Arahthos për të shpëtuar dy djemtë e mitur, të moshës 12 dhe 14 vjeç, të cilët humbën jetën tragjikisht të mërkurën e kaluar pasi pësuan vdekje klinike ka mbajtur fjalën. Ai ka përjetësuar në trup, përmes tatuazhit, portretet dhe emrat e Nisit dhe Spiros, dy fëmijëve që nuk arriti t’i shpëtonte dot, pavarësisht përpjekjeve.
Në një video të publikuar në llogarinë e tij në TikTok, ai tregon tatuazhin e përfunduar, ku ai vetë është paraqitur me krahë engjëlli, duke mbajtur në krahë dy djemtë, që gjithashtu kanë krahë engjëlli. Poshtë secilit fëmijë shkruhen emrat e tyre, Nisi dhe Spiros.
Pak ditë më parë, në një intervistë për mediat greke, Levian Goga tha se nuk kishte motiv as për famë e as për përfitime. “E bëra sepse mendova se ishte fëmija im aty brenda. Nuk bëra heroizëm, bëra atë që më diktoi zemra. Do t’i bëj tatuazh fëmijët për t’i pasur gjithmonë në zemrën time,” u shpreh ai me emocione.
Në lidhje me lajmin që i është dhënë nënshtetësia greke pas aktit të tij të guximshëm, ai theksoi qartë: “Nuk e bëra për nënshtetësinë. Jam 20 vjet këtu, herë me dokumente, herë pa. Erdha në Greqi 17 vjeç, tani jam 41. Kjo është vendi ku kam kaluar jetën. Nuk kam shkuar askund tjetër, as në Itali. Greqia është si atdheu im i dytë.”
Ai falënderoi të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë këtyre ditëve, që nga mjekët e spitalit në Artë dhe Patra, deri te ministri i Shëndetësisë që e telefonoi personalisht për t’u interesuar për shëndetin e tij. Sa i përket gjendjes së tij shëndetësore, emigranti shqiptar tha se është në gjendje të mirë, por ka pak ujë dhe gjak në mushkëri.