Një vajzë 16-vjeçare me origjinë shqiptare, Emilia Veliu, është zhdukur prej katër ditësh në Greqi, duke shkaktuar alarm dhe ankth te familjarët e saj. Sipas dëshmisë së nënës, Emilia doli për një shëtitje me shoqet më 16 qershor dhe nuk është kthyer më në shtëpi. Komunikimi i fundit me të ishte një mesazh nga telefoni i saj ku shkruhej: “Nuk do të kthehem më në shtëpi”, çka ka ngritur dyshime të forta te familja se mund të jetë duke u manipuluar apo kërcënuar nga dikush tjetër.
Nëna e Emilias shprehet e dëshpëruar dhe thekson se vajza nuk kishte dalë më parë me shoqet që përmendi atë ditë. Ajo druhet se pas zhdukjes mund të fshihet ndonjë person me qëllime të rrezikshme. Telefoni i vajzës është i fikur që nga nata e zhdukjes dhe familja, në mungesë të çdo kontakti, po kërkon me të gjitha mënyrat ndihmën e autoriteteve dhe qytetarëve për ta gjetur.
Policia greke e ka klasifikuar rastin si rrëmbim dhe u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacion për vendndodhjen e saj, të telefonojnë menjëherë në numrin 116000 ose të kontaktojnë drejtoritë e policisë. Ndërkohë, familjarët e Emilias kanë publikuar njoftimin për zhdukjen edhe në rrjetet sociale. Ajo përshkruhet si një vajzë me flokë të kuq, sy kafe, rreth 1.70 metra e gjatë dhe 65 kilogramë. Ditën e zhdukjes, kishte veshur xhinse dhe bluzë të zezë pa mëngë, syze dhe një çantë vishnje.