Në orët e para të mëngjesit të sotëm, dy skuadra të BKH-së të shoqëruara nga patrulla të Policisë së Shtetit, kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në Durrës dhe Tiranë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Agjentët e BKH-së, me urdhër të prokurorëve të SPAK, kanë ushtruar kontrolle në katër ambiente të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi, përfshirë banesat e tij në Durrës dhe Tiranë, si dhe ambiente të bizneseve që ai zotëron.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se ky aksion mund të lidhet me një hetim për kontrabandë të cigareve, lidhje të mundshme me drejtues të klanit “Troplini”, apo për korrupsion zgjedhor. Megjithatë, detajet mbeten ende të paqarta për shkak të rezervës së lartë që po mban SPAK lidhur me çështjen.
Ndërkohë, burime jo zyrtare kanë konfirmuar se në kuadër të këtij hetimi janë lëshuar edhe urdhër-arreste, por nuk është bërë e ditur nëse mes të ndaluarve ndodhet vetë Agasi apo persona të tjerë të lidhur me të.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të japin më shumë informacion në orët në vijim.