Pamjet që vijnë nga fshati Krajnë i Lezhës tregojnë një situatë alarmante, ku kabllot e energjisë elektrike janë lënë të ekspozuara dhe burim rreziku për banorët, konkretisht në një pikë transformatori. Siç shihet nga videoja e dërguar në redaksi nga një banor i Krajnit, pjesë të kabllove janë të varura në mur apo të shpërndara në tokë, ndërsa dera e objektit që duhet të mbyllë sistemin është e dëmtuar dhe e rrëzuar. Kjo gjendje e papërgjegjshme përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e banorëve, sidomos fëmijëve që mund të afrohen pa dijeni për rrezikun.
"Prsh joq! Kush pergjigjet nese mbeten dikush ne rryme elektrike ne fshatin krajen lezhe? Pamjet tregojnë vete", shkruan qytetari për JOQ. Banorët e zonës shprehen të shqetësuar se askush nuk ka marrë masa për riparimin apo sigurimin e vendit, pavarësisht paralajmërimeve dhe ankesave të përsëritura. Në mungesë të çdo mbrojtjeje fizike apo paralajmërimi, ky transformator i ekspozuar kthehet në një rrezik për komunitetin.
Përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe sigurinë e infrastrukturës elektrike i takon OSHEE-së në Lezhë me drejtor Andi Marku. Nëse institucionet heshtin, shpresohet që zëri i banorëve përmes këtyre pamjeve tronditëse të zgjojë ndërgjegjen e atyre që janë të thirrur për të mbrojtur jetën.