Në Velipojë, një zonë e detit është rrethuar dhe kthyer në një pronë private nga një subjekt që operon me lodra uji. Shqetësimin e ka ngritur një qytetare e cila shkruan se edhe pse nuk ka një emër të qartë të subjektit në fjalë që ka privatizuar hapësirën në Velipojë, punonjësit e biznesit në fjalë ushtrojnë kontroll të plotë mbi hapësirën përpara çadrave, duke ndaluar pushuesit të hyjnë në det përballë vendit të tyre, ku është vendosur subjekti që tregton lodrat e ujit të firmës gjermane. Për JOQ Albania, qytetarja shkruan se situatat ka arritur deri aty sa policia e rendit e mbështet zaptuesin në fjalë dhe iu kërkon pushuesve të mos e frekuentojnë këtë hapësirë.
Qytetarja shkruan se sot, tentoi të futej në det, përballë çadrës së saj dhe për të shmangur rërën e nxehtë shkeli në hapësirën ku subjekti e ka zaptuar. Në këtë momenti personeli i biznesit që shet lodra uji e ka kërcënuar se do ta nxjerrë nga aty nëse nuk largohet me pretendimin se është zonë e tyre. Denoncuesja shkruan se nuk ka asnjë tabelë që tregon se është pronë private ajo hapësirë në plazhin e Velipojës, duke shtuar se duket qartë që është uzurpim nga privati jo pjesë e një zone të miratuar ligjërisht se i përket privatit. Ky rast ngre dhe njëherë pikëpyetje serioze mbi rolin e institucioneve mbrojtëse të hapësirave publike dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe bashkisë Shkodër në rastin konkret. Privatizimi i detit është i paligjshëm, por po bëhet realitet çdo vit e më shumë kjo nën heshtjen e institucioneve lokale e shtetërore që duket se janë në gjumë.
“Në hapësirën publike në Velipojë, ndalohet hyrja në det nga privati. Policia i del zot biznesit dhe thotë që në hapësirën e detit të rrethuar nga privati para çadrave tona nuk lejohet as të hysh ne det. Në Shqipëri privatizohet dhe deti. Nuk kane vendosur një emër realisht, sepse kane vetëm emrin e firmës gjermane që prodhon lodrat e ujit. Por sot u futa në det përball çadrës time për të evituar të bëj xhiro dhe të digjem nga rëra. Zotëria i biznesit më kërcënoj mos të futesha në zonën e rrethuar sepse do më nxirrte nga aty. Praktikisht një pjese të plazhin publik nuk i lejohet hyrja në det sepse zona e tij është e rrethuar dhe duhet të gjesh vende anash rrethimit të detit. Shenja tregon qartazi që është uzurpuar dhe deti”, shkruan qytetarja për JOQ Albania.