Banorët e fshatit Zhapokikë, në bashkinë Tepelenë, po përballen prej vitesh me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe për përdorim të përditshëm. Në asnjë banesë të këtij fshati nuk ekziston rrjeti i ujësjellësit, duke i detyruar familjet të mbështeten në puse private ose të mbushin ujë me dorë nga një çezmë publike, me lodhje fizike dhe pasiguri higjienike. Kjo është një realitet i papranueshëm për një komunitet që jeton në një vend që aspiron integrimin europian. Mungesa e infrastrukturës bazë, siç është uji i rrjedhshëm në shtëpi, e bën jetën të vështirë dhe poshtëruese për banorët, të cilët ndihen të braktisur nga institucionet. Zhapokika nuk kërkon privilegje, por të drejtën minimale për jetesë dinjitoze, të kenë ujë për të pirë, për të larë, për të gatuar e për të pastruar si çdo qytetar tjetër në Shqipëri.
Mesazhi i qytetares:
Unë, si një e afërme e banorëve të fshatit Zhapokikë, në bashkinë Tepelenë, po ju drejtohem për një shqetësim shumë të madh që vijon prej vitesh: mungesa e furnizimit me ujë në banesat e këtij fshati, si për ujë të pijshëm, ashtu edhe për përdorim të përditshëm familjar (larje, gatim, pastrim, higjienë personale).
Aktualisht, në Zhapokikë asnjë shtëpi nuk është e pajisur me rrjet ujësjellësi, çka e detyron çdo familje të mbështetet në puse private (nëse ka), ose të mbushë ujë me dorë nga një çezmë publike. Kjo mënyrë është e lodhshme, jo higjienike dhe aspak e denjë për një komunitet që jeton në vitin 2025, në një vend që synon integrimin europian dhe përmirësimin e jetës rurale.
E gjithë zona vuan nga mungesa e një infrastrukture bazë, siç është rrjeti i furnizimit me ujë, duke e bërë jetën të vështirë e pa dinjitet për banorët që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë vend.
Kërkojmë me urgjencë që institucionet përkatëse të ndërhyjnë për të: • Realizuar një projekt ujësjellësi në fshatin Zhapokikë • Siguruar ujë të rrjedhshëm në çdo banesë, jo vetëm për të pirë, por edhe për larje, pastrim dhe përdorim të përditshëm • Vendosur këtë komunitet në prioritetet e investimeve në zonat rurale, pasi gjendja aktuale është e papranueshme
Kërkohet që autoritetet, kryetarja e komanduar e bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, të marrin masa konkrete për ndërtimin e një rrjeti ujësjellësi funksional dhe ta përfshijnë këtë zonë në listën prioritare të investimeve rurale. Nuk mund të ketë zhvillim pa mbështetje për zonat që janë lënë pas dore.