Platforma online për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte vijon të jetë e bllokuar, ndërkohë që afati për aplikim përfundon më 22 qershor 2025. Prindërit shprehen të shqetësuar, pasi procesi kërkon kohë dhe verifikime të mëtejshme edhe pas dorëzimit të aplikimit fillestar.
Sipas procedurës aktuale, pasi bëhet aplikimi, prindërit duhet të presin deri në dy ditë për të marrë një kod konfirmimi, gjë që tashmë është bërë e pamundur për shkak të mosfunksionimit të sistemit. Kjo i ka futur familjet në një stres të madh, pasi janë të rrezikuar të mbeten jashtë afatit për shkak të problemeve teknike që nuk varen prej tyre.
"Platforma per regjistrim e fëmijë ne kopsht dhe çerdhe eshte e bllokuar , dhe afati eshte deri me date 22.06.2025 , dhe dy dite nga aplikim duhet te presësh qe te vije kodi per aplikim, po tallen me ne e po na len fëmijët rrugëve. Te lutem publikojeni se ndoshta ndërgjegjësohen", shkruan një prej qytetareve.
Platforma e Aplikimeve për Regjistrimin e Fëmijëve në Çerdhet dhe Kopshtet Publike është jashtë funksionit ndaj autoritetet përgjegjëse duhet që të ndërhyjnë menjëherë për të rregulluar platformën dhe, nëse është e nevojshme, të shtyjnë afatin e aplikimit. Nuk mund të pranohet që fëmijët të mbeten pa çerdhe apo kopsht për shkak të një sistemi që nuk funksionon.