Një grup maturantësh ka dalë sot në protestë përpara Ministrisë së Arsimit, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën e zhvillimit dhe korrigjimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2025.
Sipas protestuesve, provimi i matematikës u zhvillua pa një test model paraprak, duke krijuar mungesë orientimi për nxënësit.
Përveç kësaj, ata e kanë cilësuar "skandaloz" korrigjimin e testeve të gjuhës angleze, ndërsa për testin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, maturantët pretendojnë se pati pyetje të paqarta dhe vlerësim të padrejtë.
"Jemi vetëm 11 persona sot, por përfaqësojmë zërin e 27 mijë maturantëve. Kjo nuk është vetëm për notat tona – kjo është për të drejtën tonë për një arsim të ndershëm dhe transparent," – u shpreh një nga protestuesit.
Nxënësit kërkojnë rishikimin e tabelës së pikëve për vlerësimin e tezave si dhe një hetim mbi mënyrën e korrigjimit, sidomos për provimin e anglishtes, ku ka pasur ankesa masive për mospërputhje midis pritshmërive dhe rezultateve përfundimtare.
Ata i bëjnë thirrje maturantëve të tjerë që të bashkohen në protestë për të mos lejuar që e drejta e tyre të shkelet në heshtje.