Një vajzë 16-vjeçare me origjinë shqiptare është zhdukur në rrethana ende të paqarta në lagjen Petralona të Athinës. Bëhet fjalë për Emila Veliun, e cila nuk është kthyer në shtëpi që prej datës 16 qershor. Familja e saj është shumë e shqetësuar dhe ka bërë apel publik për ndihmë në gjetjen e saj.
Sipas të dhënave të bëra publike, Emila ka flokë të kuqe, sy ngjyrë kafe, është 1.70 metra e gjatë dhe peshon rreth 65 kilogramë. Ditën e zhdukjes, ajo kishte veshur xhinse të zeza, një kanotiere të zezë, syze optike dhe mbante me vete një çantë ngjyrë bordo.
Organizata “Hamogelo tou Paidiou” ka publikuar të dhënat e saj me miratimin e familjes, ndërsa autoritetet greke vijojnë kërkimet. Kushdo që ka informacion mbi vendndodhjen e Emilas, lutet të kontaktojë menjëherë me autoritetet lokale apo numrat e emergjencës. Familja pret me shpresë një lajm që do t’u rikthejë vajzën e tyre në shtëpi.