Hyrjet në Tiranë nëpërmjet Unazës dhe autostradës po kthehen gjithnjë e më shumë në pika të nxehta të trafikut urban, ku kaosi dhe mungesa e zbatimit të rregullave dominojnë çdo ditë, sidomos në orët e pikut.
Një nga pikat më problematike mbetet hyrja te kopshti zoologjik ku çdo mëngjes dhe pasdite formohen radhë të gjata automjetesh që përpiqen të dalin duke shkelur rregullat e qarkullimit.
Në një video denoncuese të dërguar nga një qytetar, shihet qartë se shkeljet nuk bëhen vetëm nga drejtues të zakonshëm, por edhe nga makinat e policisë që në kundërshtim të plotë me rregulloren e qarkullimit rrugor, nuk respektojnë radhën e trafikun si gjithë të tjerët.
Kjo sjellje, përveçse rrit rrezikun për aksidente, minon besimin te policia dhe rendi, pasi institucioni që duhet të garantojë zbatimin e ligjit, e shkel atë haptazi për “pak minuta më shpejt”.
Qytetarët kërkojnë masa konkrete, jo vetëm gjoba për shoferët civilë, por edhe ndëshkim për punonjësit e policisë që abuzojnë me detyrën dhe shembullin publik.