Nipi kërkon dajën Astrit: Në 98′ u nis për në Angli, në 2003 ishte në Itali por u zhduk

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.06.2025, 10:17

Një familje nga Hasi prej më shumë se dy dekadash është në kërkim të të afërmit të tyre, Astrit Rada, i cili është zhdukur në rrethana misterioze në emigracion.

Sipas familjarëve, Astriti është larguar nga Shqipëria në vitin 1998, fillimisht drejt Anglisë bashkë me tre kushërinj, por rruga e tij është ndalur në Belgjikë, ku ai ka mbetur vetëm dhe më pas ka shkuar në Itali.

Kontakti i fundit me familjen ka qenë në nëntor të vitit 2003, kur ai ka telefonuar dhe u ka thënë: “Mos u bëni merak, do t’ju marr vetë në telefon”. Prej asaj dite, nuk është dëgjuar më asgjë nga ai.

Një prej të afërmve të tij, Rifat Xhebexhia, i ka bërë thirrje publike mediave dhe qytetarëve për ndihmë në gjetjen e Astritit, i cili aktualisht është 49 vjeç. Familjarët bëjnë apel për ndihmë dhe theksojnë se janë të gatshëm të ndjekin çdo pistë, me shpresën që Astriti të jetë ende gjallë dhe diku, dikush ta njohë.

Apeli i nipit:

Përshëndetje JOQ Albania, unë jam Rifat Xhebexhia dhe vij nga Hasi i Kukësit. Dua të bëj një thirrje publike për ndihmë në gjetjen e dajës tim, Astrit Rada, i cili është zhdukur pa lënë gjurmë prej 25 vitesh. Astriti është nisur nga Shqipëria në vitin 1998 me tre kushërinj të tij për në Angli, por rruga e tij u ndërpre në Belgjikë, ku mbeti vetëm. Më pas ai ka marrë rrugën për në Itali, ku ka qëndruar për disa vite dhe ka punuar në ndërtim bashkë me disa shtetas rumunë.

Kontaktin me familjen e ka mbajtur deri në nëntor të vitit 2003, kur për herë të fundit foli në telefon dhe u tha familjarëve: “Mos u bëni merak, do t’ju marr vetë unë në telefon”. Që prej asaj kohe, ai nuk është lajmëruar më kurrë. Në vitin 2002, një kushëri i tij kishte marrë informacion jozyrtar se Astriti mund të ndodhej në burg, por pa detaje të tjera. Numri i fundit i telefonit që ka përdorur është: 0039 368 573 2119. Para disa vitesh, një familjare ka telefonuar këtë numër dhe iu përgjigj një shqiptar që tha se “Astriti nuk është këtu për momentin”.

Astriti i lindur më 15 dhjetor 1975, sot është 49-vjeç e kemi kërkuar edhe në emisionet e personave të zhdukur, por pa rezultat. Familja nuk ka reshtur së kërkuari dhe kërkojmë ndihmën e çdo personi që mund të ketë informacion, ta ndajë ose të na kontaktojë. Nëse e keni parë Astritin, keni qenë në kontakt me të ose keni ndonjë informacion, ju lutem na ndihmoni ta gjejmë. Falenderojmë JOQ dhe çdo njeri të mirë që mund të kontribuojë qoftë me një informacion të vogël.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit