Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një ultimatum të drejtpërdrejtë ndaj Iranit, në një kohë kur tensionet me Izraelin po rriten ndjeshëm.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump kërkoi nga autoritetet iraniane që të "dorëzohen pa kushte", duke e theksuar kërkesën me shkronja kapitale, si një paralajmërim publik dhe i qartë.
Presidenti amerikan shtoi se SHBA kishte pasur mundësinë të eliminonte liderin shpirtëror të Iranit, Ali Khamenei, por kishte zgjedhur që të mos e bënte – për momentin.
“Ai është një shënjestër e lehtë, por është i sigurt atje. Ne nuk do ta vrasim! Të paktën jo për momentin”, shkroi Trump.
Më tej, ai theksoi se SHBA nuk kërkon përshkallëzim, por nuk do të lejojë që raketat të godasin civilë apo trupa amerikane.
“Durimi ynë po soset. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”
Deklarata e Trump ka shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare dhe është parë si një rrezik i drejtpërdrejtë për përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme.