Tre avionë Boeing 787 Dreamliner, të nisur me destinacion Indinë, janë detyruar të kthehen në aeroportet e nisjes brenda një harku kohor prej vetëm 36 orësh, për shkak të defekteve teknike. Incidentet kanë ndodhur në një periudhë kur siguria ajrore është në vëmendje maksimale, pas tragjedisë së fundit të avionit të Air India që la pas vetes të paktën 290 viktima.
Fluturimi AI315 i Air India u kthye në Hong Kong për shkak të dyshimeve për një defekt teknik. Më pas, një avion i British Airways u detyrua të rikthehej në Londër, ndërsa një avion i Lufthansas, i cili kishte destinacion Chennai, Hyderabad dhe New Delhi, gjithashtu u kthye në mes të fluturimit për arsye të ngjashme.
Rrjedha e këtyre ngjarjeve ka rritur ndjeshëm shqetësimin e udhëtarëve dhe presionin mbi kompanitë ajrore dhe prodhuesin Boeing. Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore po bashkëpunon me autoritetet britanike, amerikane dhe kompaninë Boeing për të zbardhur plotësisht shkaqet e rrëzimit tragjik të Air India. Prioritet i hetuesve mbetet rikuperimi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesve të zërit në kabinë, të cilat pritet të jenë çelësi për të kuptuar me saktësi çfarë ndodhi në orët e fundit të atij avioni.
Tensioni në sektorin ajror po rritet, ndërsa pasagjerët kërkojnë më shumë transparencë dhe siguri në udhëtimet e tyre.