Banorët e Lushnjes po përballen sërish me një situatë të pazakontë në çezmat e tyre, uji i rubinetit vjen me një ngjyrë të çuditshme, që nuk ngjan aspak me ujin e pijshëm. Fenomeni është përsëritur disa herë gjatë muajit, por këtë herë ka zgjatur për disa orë rresht, duke shkaktuar shqetësim dhe pasiguri mes qytetarëve.
"Pershendetje, ne Lushnje uji vjen ne kete ngjyra. Se kush eshte kuptimi nuk e di, mos ndoshta duan ta ndryshojn me ndonje pije tjeter, se vetem uje nuk mund te jete. Ndodh shpesh here 2-3 here ne muaj, per sot ka gati 3-4 ore qe eshte ne kete gjendje", shkruan qytetari.
Sipas raportimeve, prej më shumë se 3-4 orësh uji që rrjedh në çezma është me ngjyrë të errët dhe të dyshimtë, gjë që e bën të papërdorshëm si për konsum ashtu edhe për përdorim higjieno-sanitar. Problemi nuk është i ri. Kjo situatë ndodh disa herë në muaj, por deri më tani nuk ka pasur një sqarim të qartë nga autoritetet lokale apo ndërmarrja e ujësjellësit mbi arsyet e kësaj ndotjeje dhe mbi sigurinë e ujit që u ofrohet qytetarëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga bashkia Lushnje me kryetare Eriselda Sefa për të garantuar furnizimin me ujë të pastër dhe të sigurt, si dhe përgjigje konkrete mbi arsyet e përsëritjes së këtij fenomeni. Ndërkohë, shumë familje po detyrohen të blejnë ujë të ambalazhuar për nevojat bazë, duke u përballur me kosto shtesë.