Një qytetar ka denoncuar mënyrën e paligjshme të parkimit të makinave të Gjykatës Administrative pranë Liceut Artistik, ku mjetet zënë plotësisht trotuarin, duke i detyruar këmbësorët të ecin në rrugë mes makinave. Sipas tij, ky është një fenomen i përditshëm që shkel haptazi të drejtën e qytetarëve për lëvizje të lirë dhe të sigurt.
“Ja si parkojnë makinat e Gjykates Administrative tek Liceu, ne mes te trotuarit pa lene absolutisht asnje hapsire per kembesoret, te cilet duhet te dalin ne rruge per te kaluar. Jam nje banor i zones dhe ky eshte nje fenomen i perditshem. E kane bere parkim te gjithe trotuari dhe nuk lene as 30cm te kalojne njerëzit, momentin qe po beja foto u çuan shoferet te levizin makinat”, shkruan qytetari.
Në denoncim thuhet se nuk lihet as një hapësirë minimale prej 30 centimetrash për kalimtarët, madje shoferët kanë reaguar dhe janë afruar për të lëvizur makinat vetëm pasi panë që po bëheshin foto. Një sjellje që sugjeron se ata janë plotësisht të vetëdijshëm për shkeljen që kryejnë, por që vazhdojnë ta përsërisin çdo ditë.
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë bashkiake Tiranë, pasi situata jo vetëm cenon jetën e përditshme të këmbësorëve, por edhe paraqet rrezik për sigurinë e tyre. Ata theksojnë se trotuari është për qytetarët.