Erjoni i zhvat 300 mijë lekë vajzës: Jam pronar sufllaqerie, më duhen para për salcat

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 17.06.2025, 14:24

Një vajzë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar publikisht një rast mashtrimi që zgjat prej muajit mars.

Ajo tregon se në mënyrë shoqërore kishte komunikuar në Instagram me një djalë të quajtur Erjon Hoxha, i cili iu prezantua si pronar i një fast food-i në Tiranë. Duke e besuar, ai i kërkoi një shumë prej 30 mijë lekësh të rinj borxh, me pretendimin se i duheshin për të blerë produkte pune, konkretisht salca dhe mish.

Vajza, duke menduar se kishte të bënte me një person të përgjegjshëm, pranoi t’ia jepte shumën, pasi ai i premtoi se do ta kthente brenda tre ditësh. Por realiteti ndryshoi.

“Sot jemi në qershor dhe ende nuk kam parë asgjë. E njoftova se do të bëj denoncim në polici dhe i shkova tek fast food-i ku më kishte thënë që punonte. Aty mora vesh që nuk ishte askush, nuk kishte asnjë lidhje me atë vend,”-rrëfen vajza për JOQ Albania.

Ajo thekson se gjatë gjithë kësaj kohe, mashtruesi i ka shpërndarë numrin e telefonit të saj në mënyrë të qëllimshme tek persona të panjohur, duke ushtruar presion dhe duke i kërkuar të mos bëjë kallëzim. Në vend që të kthente paratë, ai ka kaluar në fyerje, kërcënime dhe arrogancë.

“Data 16.6.25 ishte afati i fundit që i dhashë për të më kthyer paratë. E mora në telefon, më kërcënoi, më ofendoi dhe më tha: ‘Bëj denoncim ti, se unë kam therë njerëz me thikë. Jam tek Green Cost për pushime, ato lekë nuk t’i jap.’”

Ajo shpreh zhgënjimin e thellë për faktin që u mashtrua nga dikush që në rrjetet sociale hiqej si biznesmen: “E kam ndihmuar sikur të ishte njeriu im. Më vjen keq për veten që rashë pre e mashtrimeve të këtyre monstrave që shtiren për dikë që nuk janë. E vërteta është se janë bosh, pa sedër, dhe për të ardhur keq.”

Edhe pse nuk ka shpresa që do t’i marrë më ato para, vajza deklaron se nuk do të heshtë dhe do të ndjekë rrugën ligjore për të kërkuar drejtësi.

“Unë familjen e kam të shenjtë, por këta tipa betohen për familje e kokën e vet nuk e çojnë për gjë. Ato lekë mbase nuk i marr kurrë, por zërin do ta ngre.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit