“Procesi i Maturës ka degraduar, përhapja e tezave një plagë që po bëhet normë”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.06.2025, 13:55

Mbi 27 mijë maturantë i janë nënshtruar sot provimit të Matematikës, provimi i tretë i Maturës Shtetërore.

Por siç ka ndodhur edhe në dy provimet e mëparshme dhe vitet e kaluara, tezat janë publikuar pak minuta pas nisjes së provimit dhe Ministria e Arsimit është justifikuar si gjithmonë me fjalët e njëjta: publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk ndikon në ecurinë e testimit.

Por nxënësit që testohen në këto provime dhe kanë mësuar për këtë ditë, ndryshe nga ata që marrin kopjet e gatshme, kanë një qasje krejt ndryshe, duke dënuar publikimin dhe përhapjen e tezave.

Ata thonë se telefonat e futur fshehurazi, përgjigjet që shpërndahen në rrjete sociale dhe një sistem që hesht – ose e lejon me vetëdije këtë maskaradë, po shkatërrojnë sistemin arsimor. Sipas tyre kjo nuk është më papërgjegjshmëri, por një shkelje e organizuar, që dëmton rëndë barazinë dhe meritën.

Ata janë të mendimit se publikimi i tezave dhe ndihmat nga jashtë tregojnë më së miri dështimin e shtetit dhe jo maturantëve, pasi ndershmëria ndëshkohet dhe mashtrimi shpërblehet.

Shkrimi i plotë:

Procesi i Maturës Shtetërore ka Degraduar

Përhapja e Tezave të Maturës – Një Plagë që po Bëhet Normë

Viti pas viti, çdo maturant në Shqipëri përballet me të njëjtin realitet të hidhur: sapo fillon provimi, në rrjetet sociale shpërndahet teza. Pavarësisht masave të rrepta që deklarohen nga institucionet arsimore, përsëritja e këtij fenomeni dëshmon se problemi nuk është thjesht teknik, por sistemik dhe moral.

Përhapja e tezave në mënyrë të paligjshme nuk është vetëm një akt individual i pandershëm. Është një shkelje e rëndë e barazisë së mundësive, që dëmton ata maturantë që kanë studiuar me ndershmëri dhe që i hyjnë provimit me përkushtim të plotë. Në një vend ku provimi i maturës konsiderohet një ndër momentet më të rëndësishme në jetën akademike të një të riu, një rrjedhje e tillë e informacionit përbën njollosje të drejtësisë arsimore.

Arsyeja përse kjo dukuri po përsëritet çdo vit është e qartë: mungesa e përgjegjësisë reale dhe e ndëshkimeve konkrete. Kur askush nuk mban përgjegjësi, kur nuk ka hetim serioz dhe kur shkeljet mbulohen në heshtje, atëherë ligji bëhet i pavlefshëm dhe pandershmëria shndërrohet në normë.

Po ashtu, nuk mund të injorohet roli i teknologjisë në këtë fenomen. Telefona të futur fshehurazi, foto të bëra në fshehtësi dhe aplikacione komunikimi që lehtësojnë përhapjen me një klik – të gjitha këto e kanë bërë të lehtë shkeljen e rregullave. Por, nëse teknologjia përdoret për të shkelur rregullin, atëherë institucionet duhet të përgjigjen me zgjidhje po aq të avancuara dhe efektive.

Në këtë pikë, duhet të bëjmë një ndarje të qartë: problemi nuk janë vetëm maturantët që marrin kopje. Problemi janë të gjithë ata që e lejojnë, që e organizojnë dhe që përfitojnë prej saj – qoftë përmes korrupsionit, qoftë përmes neglizhencës, apo përmes heshtjes.

Nëse duam që Matura Shtetërore të ketë vlerë reale dhe të jetë një tregues i aftësive të nxënësve, atëherë është urgjente të rimendojmë të gjithë sistemin e administrimit të saj. Nga printimi i tezave, te shpërndarja, mbikëqyrja dhe vlerësimi – çdo hallkë duhet të forcohet me transparencë, digjitalizim dhe ndëshkim të qartë për shkelësit.

Sepse, në fund të ditës, nuk janë vetëm rezultatet që kanë rëndësi, por mënyra se si i arrijmë ato. Një shoqëri që mëson rininë të mashtrojë që në provimin e parë të jetës, nuk mund të presë ndershmëri në punë, në drejtësi apo në politikë më vonë.

⸻ Kur Matura Shërben për Favorizime Politike dhe Klienteliste

Në fakt, po grabitet dija në mënyrë të strukturuar dhe të dirigjuar – nga lart (MAS) poshtë, në sallat e provimit. Ndërsa institucionet heshtin, realiteti në terren është tronditës: nxënësit, PAP-ët dhe AP-ët përdorin celularë hapur, ndërsa jashtë, diku, dikush tjetër – një “Mira” anonime – ua kthen përgjigjet në kohë reale.

Publikimi i tezave nuk është më rastësi, as papërgjegjshmëri. Po kthehet në një skemë të mirëmenduar dhe të toleruar, që në vend të mbrojë standardin, e shkatërron me duart e veta. Në emër të ndihmës për “miqtë”, për “fëmijët e deputetëve e ministrave”, po bëhet një masakër mbi vlerat dhe drejtësinë në arsim.

“Ujku, ujku… po çakalli po bën kërdinë.” Ndërkohë që ne merremi me daljen e tezave, brenda sallave ndodhin shkeljet e vërteta. Dhe përfundimi? MAS do të dalë sërish me të njëjtën deklaratë standarde – të një jave më parë – si për të mbuluar një sistem që tashmë ka vdekur moralisht. ⸻

Nëse nuk veprojmë tani, kjo nuk është më maturë – por një farsë kolektive që zhbën çdo përpjekje për meritokraci. Në këtë “provim”, ka dështuar jo maturanti, por shteti vetë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit